Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni e ka përmendur pandeminë e koronavirusit si arsyetim për dënimin e tij me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.
Hyseni i tha Gazetës Express se nuk ka dashur ta bëjë çështje dënimin i cili u bë publik vetëm tash, e të cilin ai e konsideron të padrejtë dhe të pabazë.
“Ka qenë thjesht një keqkuptim dhe një ngatërrim në dorëzimin e deklaratës së cilës unë e kam deklaruar në vazhdimësi. Prandaj, s’ka pasë bash asnjë bazë. Por, meqë ka qenë ligj e kam zbatuar si të tillë dhe e kam paguar. Ka pasë vetëm pse s’janë deklaruar me kohë, i kam edhe komunikimet kur i kam dorëzuar, por nuk e di pse janë ngatërruar dhe s’kam dashtë as ta bëj çështje… Kjo ka ndodh në kohën e Covid-it kur edhe ata s’kanë punuar edhe ne i kemi pasë të vështira mënyrat e komunikimit”, tha ai.
Hyseni ishte dënuar për mosdeklarim të pasurisë më 7 nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza i ishte ngritur më 7 tetor të po atij viti, sipas “Betimit për Drejtësi”.
Në arsyetimin e aktgjykimit ndaj Hysenit, thuhet se ai në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, deputetit të Kuvendit, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit me rastin e marrjes se detyrës së deputetit.
Gjithashtu në aktgjykim thuhet se Hyseni nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit prej 30 ditësh edhe pse ka qenë i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontraktuese në Kuvend për ta bërë këtë.
Gjykata thotë se më 7 tetor 2022 e kishte pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Hysenit për veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” së bashku me shkresat e lëndës.
Gjykata ka konstatuar se veprimet e Hysenit përbënin vepër penale të mosraportimit të pasurisë, duke shpallur edhe aktgjykimin dënues.
Për mosdeklarim të pasurisë në vitin 2022 ishte dënuar me 700 euro gjobë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, me 500 euro.