Dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për dhunimin e dy vajzave të mitura në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj E.G., i akuzuar për veprën penale “Dhunimi”, duke e dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 24 vitesh.

“Nga muaji nëntor 2023, deri në 1 mars 2024, e detyron personin tjetër për të kryer aktin seksual të dëmtuarën (I)  – nën moshën 14 vjeç,

Me këto veprime  kryen veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 8 dhe 7  lidhur me paragrafin 4 pika 4.9 lidhur me nenin 77 të KP-së.

Nga koha e pavërtetuar deri në 1 mars 2024, e detyron personin tjetër për të kryer aktin seksual të dëmtuarën   (II)   – nën moshën 14 vjeç.

Me këto veprime kryen veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 8 dhe 7  lidhur me paragrafin 4 pika 4.9 lidhur me nenin 77  të KP-së.”

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale,  të akuzuarit E.G., e GJYKON:

–              DENIM UNIK ME BURGIM në kohëzgjatje prej 24 vitesh (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01 mars 2024.

–              Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.