Në shtator të vitit të kaluar u raportua se kompania “Andrra Residence” ka dëmtuar banorët në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj, me ndërtimet që po kryente.
Ndërsa tashmë Prokuroria ka nisur hetimet ndaj dy personave përgjegjës të kësaj kompanie si dhe është ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Skenderajt.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka filluar hetimet ndaj personave përgjegjës të kompanisë “Andrra Residence”.
Ndërsa, ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Skenderajt ka ngritur aktakuzë për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kështu kanë konfirmuar nga Prokuroria.
“Njoftoheni se për personat A.Ç., dhe A.,Ç rasti është ende nën hetime. Ndërkaq, për tre persona zyrtarë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë me datë 10 qershor 2024, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria.
Gazeta ka mësuar se hetime janë duke u zhvilluar ndaj pronarit të kompanisë “Andrra Residence”, Astrit Çitaku.
Me 7 shtator u raportua se si kjo kompani kishte bllokuar shtëpi të banorëve në rrugën Emin Lati” në Skenderaj.
Punimet për ndërtimin e një objekti banesor kishin filluar me 20 korrik 2023, pa leje ndërtimore.
Kompania ndërtimore “Andrra Residence” kishte bërë kërkesë për leje ndërtimore me 14 gusht, ndërsa Komuna e Skenderajt ia dha lejen ndërtimore një ditë pas me 15 gusht 2023.
Por, gjatë punimeve u shkaktuan rrëshqitje të tokës, dhe si pasojë banorët atje u rrezikuan dhe pësuan dëme të mëdha materiale.
Familja e Fejzullah Smajlit u dëmtua më së shumti nga kjo rrëshqitje e tokës.
Kjo familje me banim në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj kishin mbetur të bllokuar, iu ishte bllokuar hyrja në shtëpi dhe garazhë, derisa siç raporton Insajderi, iu ishin shkaktuar edhe dëme të shumta materiale.