Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, në seancën e sotme të kuvendit ka folur në lidhje me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ajo tha se raporti i sivjetëm i KE-së është ndër raportet më të dobëta ndonjëherë për vendin, ku sipas saj, në shumicën e sektorëve ka vërejtje dhe vlerësime të përsëritua vit pas viti, të cilat siç tha, flasin dhe tregojnë se institucionet e Kosovës nuk i kanë trajtuar me përkushtim këto vërejtje dhe rekomandime të dala nga raporti i vjetëm.
“Më duhet të them se ky raport e gjen Kosovën nën sanksione. 300 milionë euro është vlera e projekteve që i ka bllokuar BE-ja për shkak të sanksioneve që rëndojnë mbi Kosovën si pasojë e kësaj qeverie”.
“21 herë përmendet fjala “shqetësim”, tri herë përmendet togfjalëshi “shqetësim serioz” e ndër të tjera përmendet edhe korrupsionin, 32 herë togfjalëshi “fazë fillestare”, 49 herë “progres i kufizuar”, tri herë përmendet “pak progres”, 30 herë “nuk ka progres”, 59 herë “pak progres” dhe vetëm tetë herë togfjalëshi “progres i mirë””.
“Pra, në 184 cilësime, 176 janë me progres jo të mirë dhe vetëm tetë me progres të mirë. Dhe një nga këto suksese, padyshim është reforma zgjedhore që e ka udhëhequr PDK-ja, ashtu sic edhe në të kaluarën, raporti i vitit të kaluar përmend miratimin e rregullores së punës së kuvendit, e cila është bërë për shkak të opozitës në këtë kuvend”, tha Deliu – Kodra, njofton Klankosova.tv..
Tutje, ajo përmendi edhe vlerësimin e këtij raporti në luftën ndaj korrupsionit, ku sipas saj, konstatohet se Kosova është në fazë fillestare dhe se është bërë progres i limituar, për të cilin tha se është më i ulëti që KE-ja e ka për Kosovën.
“Si është gjendja në këtë drejtim, mund të kuptojmë se në raportin e këtij viti, fjala “korrupsion” është përmendur 99 herë. Më keq se kaq nuk ka qenë as në raportin e vitit 2020, ku është përmendur 88 herë. Në raportin e vjetëm, thuhet se Kosova ka bërë progres, kurse në raportin e sivjetëm, thuhet se ka progres të limituar”.
“Pothuajse në secilën faqe të këtij raporti i bie që s’ka punë që kjo qeveri e ka bërë e diku aty s’ka pasur pak korrupsion dhe këtë e shohim në raport. Edhe pse VV-ja dhe lideri i saj Kurti, sic e thoshin e kanë prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, po del që pikërisht në këtë fushë tash e tri vite nuk është bërë pothuajse fare progres”, tha Deliu – Kodra.
Deliu – Kodra më tej tha se për sa i përket çështjes së varfësirë, që ka qenë indikator bukur i rëndë brenda raportit, rreth 18 për qind e popullsisë së Kosovës jetojnë në pragun e varfërisë, me 45 euro në muaj apo 1.5 euro në ditë.
“Ky realitet i qytetarëve të Kosovës po ndodh në një moment kur një këshilltar i një ministreje të kësaj qeverie paguhet me 7.500 euro në muaj. Pra, ky super-këshilltar fiton më shumë se 167 qytetarë të Kosovës të cilët sot jetojnë me 1.5 euro në ditë”.
“Pra, kjo qeveri e paguan një këshilltar sa 13 paga të policëve të njësisë speciale, në një periudhë kur aktivitetet kriminale janë shtuar më shumë se kurrë në Kosovë e siguria e qytetarëve të Kosovës është më e cenuar se asnjëherë”, tha ajo.