Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, sot, në një konferencë për media, ka thënë se Qeveria Kurti është karakterizuar me afera dhe skandale të shumta korruptive.
Deputetja Deliu-Kodra ka thënë se rasti i fundit i arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të “KRU Gjakova”, Hasan Krasniqi, sipas saj, është vetëm njëri nga vargu i gjatë i zyrtarëve të partisë në pushtet që, siç u shpreh, është përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njejti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale”, ka thënë Deliu-Kodra.
“Besnik Mujeci: asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i arrestuar në Shqipëri me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nagip Krasniqi: Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, tani Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, i arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi”.
“Nënshkrim i kontratave të dyshimta në vlerë prej miliona eurove. Faruk Mujka: Ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin, mediat kanë raportuar se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri Ridvan Muharremi: Mik dhe bashkëpunëtor i Vetëvendosjes, i cili është i përfshirë në skandalin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i është shkaktuar buxhetit të shtetit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra ka përmendur edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili, sipas saj, është kupola e gjithë këtyre keqpërdorimeve.
“Ambasadori Berishaj, si e dini, është përfshirë në një skandal të madh rajonal financiar, në tregtimin e energjisë elektrike, i cili dyshohet se peshon miliona euro, ndërsa vet ambasadori Berisha dyshohet se ka përfituar 600 mijë euro nga filiali i kompanisë GEN-I, me seli në Beograd”, ka thënë ajo.
Deputetja e PDK-së ka thënë se këto janë vetëm disa nga rastet, të cilat sipas saj, dëshmojnë për një qeverisje trivjeçare përplot me afera dhe skandale korruptive.
“Në dritën e këtyre zhvillimeve dhe kësaj qeverisje, e cila ka qenë tejet dëshpëruese, e paaftë dhe, në esencë korruptive, natyrisht edhe raportet ndërkombëtare për vendin tonë nuk kanë se si të jenë as të mira dhe as pozitive. Raporti i fundit i 29 shkurtit nga Freedom House, ka vlerësuar se Kosova është vend “pjesërisht i lirë”. Sipas këtij raporti kredibil amerikan, me bazë në Ëashington, institucionet e Kosovës mbesin të dobëta dhe korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj qeverisë”, ka thënë Deliu-Kodra.