Deklarata për të Zhdukurit, Hoti: BE nuk po e kushtëzon Serbinë për qasje në arkiva

Deklarata për të Zhdukurit e miratuar më 2 maj në Bruksel, nuk po gjen zbatim nga pala serbe. Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me kërkesën për hapjen e arkivave. Ai thotë se nuk ka marrë përgjigje, ani pse ka tash e më shumë se një muaj që është dërguar kjo kërkesë.

Bashkimi Evropian si ndërmjetës i kësaj deklarate, siç thotë Hoti, nuk po kushtëzon Serbinë për implementim të asaj për çfarë janë dakorduar. Në intervistën për KosovaPress, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur flet edhe për gërmimet që kanë nisur javën e kaluar në Prishtinë dhe për Ligjin për Personat e Zhdukur.

Nga fillimi i vitit janë kryer disa gërmime në lokacione të Kosovës, mirëpo Hoti përsërit kërkesën që të kthehen kërkimet në tri lokacione ku janë gjetur mbi 700 trupa, në Batajnicë, Petrovo Sello dhe Bajna Bashta në territorin e Serbisë.

Ai tregon edhe për letrën që i ka dërguar Serbisë, për hapjen e arkivave.

Për këtë, Hoti e fajëson edhe Bashkimin Evropian, për çka kërkon që të kushtëzojë Serbinë për qasje në këto arkiva.

Teksa thekson se fokus i tyre janë gërmimet në varrezat masive në Serbi, Hoti shton se në Kosovë është gërmuar gati çdo katër kilometër katror, apo në mbi 2700 lokacione.

Hoti shton se janë edhe dy vende të tjera, të cilat do të gërmohen në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në urdhëresat e gjykatës. Njëra është në Mitrovicë, ndërkaq tjetra në fshatin Bizhtazhin të Gjakovës.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të pagjetur, Andin Hoti thekson se shumë shpejt do të finalizohet Ligji për Personat e Zhdukur.

Kjo nismë legjislative, siç thotë ai, nuk përcakton dhe nuk përfshin kërkesat e familjarëve të të pagjeturve. Hoti shton se një gjë të tillë e bën Ligji për Pensione dhe ai për Kategoritë e Dala nga Lufta.

Hoti thekson se Ligji për Kategoritë e Dala nga Lufta është në plotësim-ndryshim në Kuvendin e Kosovës tash e tetë vjet./KosovaPress