Deklarata e Vuçiqit për luftë në Kosovë konsiderohet si kërcënim serioz dhe e rrezikshme

Serbia do të pres momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë, por tani me një qasje tjetër. Kjo është një ndër deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq të dielën drejtuar perëndimit, të cilin njohësit e sigurisë në Kosovë, po e konsiderojnë si kërcënim serioz dhe direkt ndaj vendit tonë.

Për KosovaPress, ata thonë se ky deklarim duhet të merret seriozisht nga ndërkombëtarët, ngase paraqet rrezik potencial për sigurinë e Kosovës, derisa potencojnë se Vuçiqi ka shprehur ambiciet e Serbisë kundër Kosovës.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, nga Lidhja Demokratike i Kosovës (LDK), Anton Quni tha se ky është një ndër deklarimet më të sinqerta të Vuçiqit lidhur me atë që mendojnë dhe ëndërrojnë për Kosovën. Ai shtoi se Serbia pret çarje brenda shteteve anëtare të NATO-s dhe që partnerët strategjik të zbehin interesimin ndaj Kosovës, për të arritur qëllimet e saja.

Përveç kësaj, Quni potencon se çdo veprim nga autoritetet e Kosovës do duhej të jenë në bashkërenditje të mirë me partnerët tanë strategjik.

“Është një ndër deklarimet më të sinqerta të Veçimit, atë që ata e mendojnë e ëndërrojnë, duan ta materializojnë në kushte optimale, të volitshme për Beogradin, për Serbinë. Ata presin ndonjë çarje brenda shteteve anëtare të NATO-s, presin që partnerët strategjik të zbehin interesimin ndaj Republikës së Kosovës. Prandaj, është shumë me rendësi, se çdo ndërmarrje e veprimeve nga autoritetet e Republikës së Kosovës do duhej të jenë në bashkërenditje të mirë me partnerët tanë strategjik. Përderisa janë këto marrëdhëniet e mira me aleatët tanë dhe përderisa është unike si tërësi NATO-ja, çdo tendencë për të ndërhyrë me forca ushtarake në territorin e Republikës së Kosovës do të ishte një aventurë në vete…Këto deklarime do te duhej të gjykohen nga bota demokratike, është fakt se nxisin reaksione te ndryshme ndër to dhe krijimin e tensioneve ndër shtetërore dhe ndër etnike. Sado që është një lloj justifikimi i Vuçiqit para qytetarëve dhe votuesve te tij, se në aspiratat e tyre pengesë janë NATO-ja, partnerët tanë e të tjera, kjo deklaratë duhet të merret si e rrezikshme. Të jetë parasysh autoriteti i tij, deklarimet e tij, gjithnjë kur organizohen bisedat në mes te palëve të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Quni.

Po ashtu, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli potencon se Vuçiq ka kërcënuar haptazi paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për çka shton se Bashkësia Ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ta marrin më seriozisht këtë deklarim, siç e quan ai të pasardhësit të Millosheviçit.

Dugolli për KosovaPress, thekson se me këtë deklarim, Vuçiq ka shprehur publikisht ambiciet e tij kundër Kosovës, duke vlerësuar këtë si një kërcënim serioz për vendin tonë.

“Nëse e analizojmë deklaratën e tij, pra shihet qartë se ai tani publikisht më, para botës shpreh ambiciet e tij dhe shtetit të Serbisë kundër territorit të Republikës së Kosovës, me vetë faktin që deklaron se duhet të zgjidhni ose Kosovën ose Serbinë. Atij i pengon ekzistenca e Kosovës, Republika e Kosovës dhe me vetë faktin që shtron këso pyetjesh ai shpreh edhe publikisht pretendimin se ne do të kërkojmë momentumin e duhur që të realizojmë ato ambiciet e tyre. Pra, kërcënim direkt, i hapur për ne nuk është risi, nuk është asgjë e re. Ne kemi thënë në vazhdimësi se Serbia nuk ka ndryshuar, është ajo Serbi e Millosheviçit, gjë që e ka treguar edhe me veprime. Pra, e kishim Banjskën, grumbullimin e trupave përgjatë kufirit të Kosovës, janë këto sinjale të mjaftueshme të cilat na tregojnë se kush është Serbia. Mirëpo, këtë fakt do të duhej që Bashkësia Ndërkombëtare, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta marrin më seriozisht dhe të merren me pasardhësin e Millosheviçit, pra Vuçiqin i cili haptazi kërcënon paqen dhe stabilitetin në Kosovë por edhe në rajon”, potencon Dugolli.

Se Vuçiq hoqi maskën, tregoi fytyrën e vërtetë dhe planin afatgjatë të Serbisë ndaj Kosovës e thotë njohësi i sigurisë, Avni Islami.

Deklarata e Vuçiq, nëse Perëndimi duhet të zgjedh mes Kosovës dhe Serbisë, Islami konsideron se Serbia është e interesuar që nëse në aspektin diplomatik nuk përfiton nga Kosova, ta provojë edhe anën ushtarake.

Në një prononcim për KosovaPress, Islami thotë se institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke u forcuar, që në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë të jenë të gatshëm në çdo moment dhe kohë ndaj kërcënimeve të Serbisë.

“Deklarata e fundit e presidentit Vuçiq, e cila ndërlidhet drejtpërsëdrejti me një kërcënim të mundshëm ushtarak, nuk është risi e re, vetëm se gjatë këtij deklarimi e tregoi fytyrën e vërtetë, e hoqi maskën dhe e tregoi planin afatgjatë jo vetëm tani por edhe në të kaluarën, në të tashmen por edhe në të ardhmen se çfarë planesh ka Serbia në raport me Kosovën. Pra, vetë pyetja se kë do e zgjidhni Kosovën apo Serbinë, Serbia është e interesuar që nëse në aspektin diplomatik nuk përfiton nga Kosova, ta provojë edhe anën ushtarake. Ky është kërcenim shumë serioz, dhe ketë e kemi ditur ne që merremi me çështje të sigurisë, por edhe strukturat e shtetit janë të informuara, nuk është diçka e re. Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e forcuar, Forca e Sigurisë së Kosovës, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, që në bashkëpunim ne aleatët ndërkombëtar të jetë e gatshme në çdo moment dhe në çdo kohë Serbia mund ta kërcënojë Kosovën”, thotë Islami.

Lidhur me këto deklarata, ka reaguar edhe deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer. Ai në një reagim në platformën “X”, ka pyetur liderët e BE-së nëse e kanë dëgjuar deklaratën e Vuçiqit për Kosovën.

Ai u shpreh se si mund të vazhdohet me pretendimin se “problemi” është kryeministri Kurti, kur por e lejoni Vuçiqin të mbjellë farën e luftës.

Po ashtu, edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko tha se Vuçiq edhe takimin me fëmijët nga Kosova e shfrytëzon për t’i dërguar mesazhe rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar.

Ndërkaq, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit nga Brukseli, Toby Vogel ka hedhur kritika ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e sulmit terrorist në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar.

Në një shkrim në platformën sociale “X”, Vogel theksoi se SHBA-a dhe BE-ja, janë duke e fshehur nën qilim rastin “Banjska”, për të vazhduar biznesin si zakonisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.