Deklarata e BE-së: Aksioni policor në veri përshkallëzues dhe i njëanshëm

Bashkimi Evropian ka deklaruar se e ka vëzhguar me shqetësim operacionin policor të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare Serbe në veri të Kosovës.

Në reagim thuhet se veprimi i mbylljes së gjashtë filialeve të kësaj banke ishte përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme”.

“Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”, thuhet në reagimin e BE-së.

BE thekson se aksioni policor dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj.

“Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

“BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga Lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, thuhet tutje në reagim.