Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për dhunë në familje pas denoncimit të gruas së tij, me të cilën janë në proces divorci, nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk është recidivist i asnjë vepre penale. Sinjali ka siguruar dosjen e të kaluarës së tij ku demantohet ajo që u raportua të mërkurën në media, e po ashtu edhe pjesë nga deklarata e gruas së tij.
Gruaja e Gjakovës ka deklaruar ndër të tjera se nuk ndihet e rrezikuar nga ai.
Në dëshminë e saj të dhënë në Polici, ajo thotë se “Jo, nuk ndihem e kërcënuar sepse nga korriku i vitit 2023 nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj meje, vetëm psiqike.”
Po ashtu, ajo ka deklaruar se “Për dhunë fizike nuk kam pranuar tretman mjekësor, mirëpo kam qenë të psikologu dy herë sepse kam qenë në gjendje të rëndua.” Ndërsa ka shtuar se “Dhuna fizike dhe lëndimet që m’i ka shkaktuar kanë qenë vitin e kaluar, në vitin 2023” – duke iu referuar pamjeve të publikuara.
Ndryshe, sipas dosjes që posedon Sinjali, rezulton se Akil Gjakova ka vetëm kundërvajtje trafiku dhe nuk ka asnjë rast qoftë për veprën penale dhunë në familje apo ndonjë vepër tjetër.