Analisti politik, Ilir Deda, ka thënë se Serbia nuk është ledhatuar nga bashkësia ndërkombëtare nga rasti i Banjskës, por ka qenë Kosova ajo që s’ka ditur ta kapitalizojë atë moment.
Deda tha se Kosova, në vend që të kërkojë heqjen e sanksioneve ndaj saj, ka kërkuar që t’i vihen sanksione Serbisë.
“Nuk është që është ledhatuar Serbia pas Banjskës, por Kosova s’ka ditur ta kapitalizojë. Kosova ka shpenzuar energji duke kërkuar që t’i vihen sanksione Serbisë, në vend që të kërkojë që t’i hiqen ato Kosovës. Po s’u hoqën në mars sanksionet, nuk do të hiqen gjatë gjithë vitit të ardhshëm. Do ta kemi planin për zhvillim, por Kosova s’do të marrë para prej atij fondi. 350 milionë i kemi të bllokuara nga viti i kaluar, kush e di se sa edhe këtë vit. Prej planit për rritje, Kosovës i përkasin 945 milionë euro në tre vjetët e ardhshme. Janë shumë para për t’i gjuajtur me lehtësi. Nuk ka më dëgjim për kërkesat e Kosovës nga shtetet perëndimore sepse është humbur kredibiliteti i Kosovës. Janë zgjedhjet në veri – kur do të mbahen ato? Ka qenë vetë Kosova që ka kërkuar që të shkohet në atë mënyrë deri te zgjedhjet e reja, përmes peticionit. Pse po e humbim tërë shkurtin, kur ato nënshkrime u mblodhën për 2-3 ditë? Qytetarët serbë të Kosovës e kanë kryer punën e tyre, tash duhet KQZ-ja, e cila po thotë se jemi duke i verifikuar nënshkrimet”, tha Deda, teksa shtoi se është shumë kohë e gjatë për t’i verifikuar aq pak nënshkrime, dhe tha se Qeveria duhet të kërkojë përshpejtim të këtij procesi, shkruan Klankosova.
Ai tha po ashtu se qeveria duhet të dalë me planin e vet 10-pikësh për çështjen e dinarit.