Dhuna në familje, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasjes e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët.
Kështu ka ndodhur dje në një familje në Isniq të Deçanit, ku një 36-vjeçar tentoi t’i jap fund jetës së tij.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është dërguar në këtë qendër me shenja jete nga familjarët e tij, pasi e gjetën të varur në litar.
Policia është njoftuar për rastin nga spitali dhe më pas një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.