Debati në AP për Kosovën në KiE: Shumica e deputetëve pro

Deri më tani, një shumicë e deputetëve që kanë diskutuar në seancën ku do të hedhet në votim opinioni i raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë pro propozimit që vendi ynë të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Deputetja nga Spanja, Nerea Ahedo, tha se bën pjesë te grupi që mbështet pavarësinë e Kosovës, dhe rrjedhimisht do të votojë pro anëtarësimit, pavarësisht qëndrimit të shtetit të saj.

Pro Kosovës u deklarua edhe Oleksii Goncharenko, deputet ukrainas, i cili tha se Kosova e meriton të jetë anëtare e KiE-së.

Deputetja austriake, Petra Bayr, u shpreh pro, dhe tha se me anëtarësimin e Kosovës në KiE, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Megjithatë, ajo tha se Kosova duhet ende të punojë për të drejtat e njeriut.

Në linjë me të sipërpërmendurit ishte edhe deputetja irlandeze, Fiona O’Loughlin. Ajo tha se qytetarëve të Kosovës u mungon një mjet themelor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Edhe deputeti gjerman Frank Schwabe u shpreh pozitivisht në lidhje me raportin mbi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.

Votë pro Kosovës premtoi edhe Alain Milon nga Franca.

Edhe pse nuk e njeh Kosovën shteti i tij, Iulian Bulai, deputet nga Rumania, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndonëse disa deputetë italianë paraprakisht propozuan që para votimit për në KiE, të vendoset si parakusht themelimi i Asociacionit, Piero Fassino nga ky vend tha se të drejtat e pakicës serbe mund të mbrohen më mirë nëse Kosova është pjesë e Këshillit.

Pro Kosovës dhe kundër qëndrimit të vendit të tij u deklarua edhe deputeti grek, Alexis Tsirpas.

Ndërkaq, deputeti hungarez Zsolt Nemeth, u deklarua kundër.

E kundër ishin edhe përfaqësuesja nga Serbia, Biljana Pantiq Pilja, sikurse edhe ajo e Malit të Zi, Maja Vukiqeviq.

Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare. /Klankosova.tv