Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, mund të hyjnë në grevë.
Disa nga kërkesat që Llumnica ka përmendur janë Shujta për punëtorët, rritja e pagave, zbatimi i marrëveshjes kolektive, pagesa e punës në ditët e fundjavës.
“Ne i kemi pas disa kërkesa me shkrim ndaj drejtorit dhe bordit por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje as me shkrim por as kur jemi takuar për çështje si shujtën e ushqimit apo ngritjen e pagave. KEK është ndërmarrja e vetme në Kosovë që nuk zbaton marrëveshjen kolektive. Kemi punëtorë me ndërrime të cilëve nuk u paguhen vikendet. Nëse nuk kemi takime dhe nuk thirremi për këto kërkesa atëherë një ditë do të vijmë tek protestat dhe grevat. Nëse na mbyllin të gjitha rrugët, kjo do të jetë rruga e vetme” – tha ai.
Kryesindikalisti Llumnica tha për Sinjalin se që nga 14 prilli nuk janë takuar me drejtorin, Nagip Krasniqi, duke e quajtur këtë injorim nga ta.
Llumnica tha se punëtorët e KEK-ut moti kanë kërkuar të hyjnë në greva por duke parë krizën energjetike kanë sakrifikuar për hir të situatës.