Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A. ka reaguar ndaj kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve, Ibrahim Jonuzi, i cili akuzoi menaxhmentin për sjellje të këqija. “Menaxhmenti na ka thënë shko vdisni atje, dhe nuk është tu ja ni askujt për neve”, ka thënë Jonuzi për Front Online.
Përmes një komunikate në Facebook, ata kanë përgënjeshtruar deklaratat e Januzit duke i quajtur pohimet e tij “dashakeqe dhe shpifëse”.
Më tej në reagim thuhet se “Menaxhmenti dhe Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A. janë shumë të shqetësuar për situatën e krijuar në minierën e Stantergut, për sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve”
Reagimi i plotë:
Kundër komunikatë ndaj deklaratës së Kryetarit të Sindikatës – z. Ibrahim Jonuzi
Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A. përgënjeshtron deklaratën e Kryetarit të Sindikatës Ibrahim Jonuzi, se ka pas komunikim me menaxhmentin dhe se menaxhmeni është shprehur keq për grevën dhe gjendjen e minatorëve në minierën e Stan Tërgut. Fjalët që ka thënë z. Januzi kinse menaxhmenti është dashakeq për minatorët, janë shpifje të ulta qe nuk përkojnë me sindikalistet e minierës.
Menaxhmenti dhe Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A. janë shumë të shqetësuar për situatën e krijuar në minierën e Stantergut, për sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve andaj është duke punuar gjatë gjithë kohës për tejkalimin sa me të lehtë të kësaj situate.
Ne konsiderojmë se kjo greve duhet të ndërpritet menjëherë për shkak se një grevë e tillë nuk është ligjore, sepse nuk është paralajmëruar sipas ligjit LIGJI Nr. 03/L-200 për greva, dhe konsiderojmë se nuk ka arsye reale.