Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, nuk është shkarkuar, por se do të lëvizë për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohësh.
“Zëvendësndihmësi i sekretarit, Gabriel Escobar, nuk është shkarkuar nga detyra e tij. Të gjithë diplomatët e karrierës ndërrojnë detyrë çdo katër vjet, si pjesë e një praktike të rregullt”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit.
Reagimi i Departamentit të Shtetit vjen pas publikimit në platformën pak të njohur digjitale ‘Frontliner’ – me autor Vedat Xhymshitin, i vetidentifikuar si gazetar – ku pretendohet se Escobar është shkarkuar nga pozita e të dërguarit për Ballkanin Perëndimor për shkak të, siç thuhet në shkrim, konfliktit të interesit që komprometon pozitën e tij si ndërmjetës neutral në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësi i DASH-it i hodhi poshtë pretendimet e zotit Xhymshiti “si pretendime të rreme, lehtësisht të verifikueshme”.