DASH: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASH-it, pasi u pyet nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar bisedimet që u zhvilluan të martën për çështjen e rregullores.

Ndërmjetësuesi i tyre, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.