Dardanët mesazh Avdullahut: Leon, hajde me luanët!

Dardanët kanë dalë me një deklaratë thirrjeje për Leon Avdullahun, futbollistin që fillimisht kishte pranuar ardhjen te Kosova, por që tash me presionin e madh të Zvicrës, duket të jetë në mëdyshje.

Tifogrupi i kombëtares, përmes një deklarate të para pak çasteve, ka ftuar futbollistin që mos ta harrojë prejardhjen, duke thënë se këtu do të jetë gjithmonë luan, dhe asnjëherë i huaj si te Zvicra.

Veç kësaj, Dardanët morën shembull deklaratën e Ozil, që thoshte se kur dështonte ishte turk, kurse kur shënonte, gjerman.

Më poshtë edhe thirrja e plotë:

LEON, HAJDE ME LUANËT
LEON, Kosova është vendi i gjyshit e babit tënd, ti je shqiponja që Kombin e gëzon. Veq në Kosovë nuk je i huaj.
S’kemi bërë asnjëherë thirrje të tillë më herët. Por, kësaj radhe po bëjmë përjashtim. E shohim më se të arsyeshme. Kjo për faktin se kryefjalë është Leon Avdullahu.
Jo vetëm kaq. Nuk mund të heshtim përballë thirrjeve e tentimeve të kombëtareve të treta për ta marrë yllin tonë, Leonin. Leon do të thotë Luan. E Luani është i fortë vetëm tek kombëtarja që e përfaqëson. Aty ku çdoherë është i “Kosovës”, dhe jo siç thoshte Ozil: kur dështoja isha turk, e kur shënoja gjerman. Luani, këtu do të jetë gjithmonë luan. Mbret. Që mbrapa do ta ketë krejt “tufën” mbështetëse të Dardanëve për secilën lëvizje, edhe kur nuk do të ketë momente të mira.
Leon, mos harro: Këtu vlen. Këtu çmohesh. Këtu do të të duan pa interes.