Në Gjykatën e Apelit ka nisur seanca ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga Nysret Arifi, administrator i kësaj gjykate.
“Ka nisur nga ora 10:00. Nuk dihet se sa do të zgjat. Janë marrë masat e nevojshme për zhvillimin e saj”, tha ai.
Seanca po mbahet pasi që Krivaqa dhe Sejdiu ishin ankuar ndaj vendimit të shkallës së parë.
Më 4 gusht, Gjykata Themelore e Ferizajt, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Ndërsa të akuzuarit Arbër Sejdiu i janë shqiptuar 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Dy të akuzuarit, u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.