Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari James Covey ka thënë se ekstremistët po përpiqeshin t’i dëbonin serbët nga Kosova duke ushtruar terrore.
Ai kishte thënë se disa nga komandantët e zonave ishin ekstremistë. Si rrjedhojë, në këtë grup ai përfshiu Sami Lushtakun.
“Sigurisht që në këtë grup do të fusja zotin Lushtaku”, tha Covey, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përveç kësaj, ai sërish theksoi se nuk i kujtohen të gjithë emrat e komandantëve të zonave.
“Edhe njëherë e përsëris që nuk më kujtohen të gjithë emrat e komandantëve të zonave”, tha Covey.
Dëshmitari u pyet se a ka dijeni për individë të moderuar në grupin e komandantëve të zonave. Emri që dha Covey ishte ai i Ramush Haradinajt.
“Ramush Haradinaj, i cili në fakt ishte luftëtar i ashpër, luftëtar i rreptë, më doli të ishte person i moderuar”, tha Covey.