Ish-ministri i Integrimit Europian të Kosovës , Bekim Çollaku, ishte i ftuar mëngjesin e kësaj të enjteje në Euronews Albania, ku komentoi draft-statutin e publikuar për themelimin e Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Çollaku tha se për sa kohë qeveria e Kosovës nuk e përgënjeshtron që ai është drafti që u është paraqitur, lë të kuptohet se kemi të bëjmë me draftin real.
Duke cituar ekspertët e konstitucionalizmit në Kosovë, Çollaku tha se drafti i propozuar minon shtetin e Kosovës dhe krijon një pushtet të tretë paralel në Kosovë, me një Kushtetutë të re.
“Koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë në rast se do të themelohet Asocacioni i Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me draft-statutin e publikuar, autorësinë e të cilit ende nuk e ka konfirmuar qeveria e Republikës së Kosovës. Mirëpo duke mos e mohuar një gjë të tillë ka lënë të kuptohet se ai draft-statut u është dhënë palës kosovare dhe asaj serbe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtete e Bashkuara të Amerikës. A do ta minojë shtetin e Kosovës? Kjo mbetet për t’u parë. Mirëpo duke cituar ekspertët më të mirë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ata që kanë udhëhequr Gjykatën Kushtetuese, në këtë rast prof. dr Hasani, i cili ka qenë kryetar i kësaj gjykate, përfundimi është i tmerrshëm. Ai mendon që një draft-statut i tillë që është prezantuar dhe po qarkullon në publik do ta minojë përfundimisht shtetësinë e Kosovës. Draft-statuti krijon një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, më saktë thotë se do të themelojë një Kushtetutë të vetëm pasi kushtetuta e Kosovës nuk mund të japë mendime për atë draft-statut”, tha Çollaku.