Kriza energjetike e cila e ka kapluar edhe Kosovën dhe ngritja e vazhdueshme e çmimeve, ka bërë që qytetarët të gjejnë alternativa tjera për tu ngrohur gjatë stinës së dimrit.
Por, për t’i siguruar lëndët djegëse ata po hasin në shumë vështirësi.
Çmimi i drurëve dhe peletit është ngritur.
E sipas shitësve të këtyre dy lëndëve, interesimi i qytetarëve është i madh, por ka rrezik që të ketë mungesë të peltetit.
Shitësi Muhamet Prestreshi nga Podujeva për FrontOnline, thotë se çmimi i drurëve këtë vit është ngritur pasi që janë ngritur edhe çmimet tjera.
Ai një metër dru po e shet 60 euro.
“Vitin e kaluar ka qenë metra 40 euro, këtë vit është 60 sepse punëtoret këtë vit po i paguaj nga 50 euro dhe kam shumë harxhime. Vitin e kaluar një punëtor e kam paguar 25 euro. Punëtorë nuk ka unë po e kam problem me gjetë edhe punëtor pasi që çdo gjë shkon me fuqi punëtore”, u shpreh ai.
Ai thotë se pavarësisht ngritjes së çmimeve ka interesim të madh të qytetarëve për të blerë dru.
“Interesimi i qytetarëve për me ble dru është shumë i madh. Unë s’kam dru të mjaftueshme sa po lypin qytetarët, kërkesa ka shumë. Kërkesat janë rrit për shkak të krizës së energjisë elektrike”, tha ai për Front Online.
E nga një kompani e cila bënë shitjen e peletit, të cilët kanë dashur të mbesin anonim, kanë thënë për FrontOnline se aktualisht çmimi i peletit është 550 euro për një ton, derisa vitin e kaluar ka qenë 200.
“Vitit e kaluar çmimi është sjellë rreth 200 euro varësisht prej kohës në muajin korrik ka qenë 180 mandej ka shku 200. Këtë vit ka nisë me 300 ka shkuar në 550 euro një ton pelet”, tha pronari i një kompanie që deshi të mbes anonim.
Sipas pronarit të kompanisë, gjasat janë të mëdha që këtë vit të ketë mungesë të kësaj lënde djegëse pasi që siç tha ai disa shtete e kanë ndaluar eksportin.
“Serbia e ka ndaluar eksportin, Mali i Zi pritet me ndal, Maqedoni nuk ka. Ne e marrim nga Mali i Zi, problemi nuk është që është kosto e lartë, por është mungesa e sasi dhe sipas gjasave ka me pas mungesë të peletit”, u shpreh ai për Front Online.
Ai foli edhe për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovë, ku e ka bërë ndaljen e eksportit të peletit nga Kosova.
Pronari i kompanisë tha se ky vendim është absurd pasi që siç tha ai në Kosovë, ka mungesë të lëndës së parë.
“Qeveria sot e ka pru vendimin mos me shit jashtë. Kosova kështu ashtu nuk e ka shit jashtë, ka fabrika te peletit por nuk ka lëndë të parë për pelet”, u shpreh ai.
Ai për FrontOnline, tha se këtë vit ka pasur ngritje të çmimit të peletit por këtë ngritje e ka bërë fabrikat nga të cilat ata furnizohen me pelet.
Edhe një shitës tjetër i peletit thotë se çmimi është rritur dukshëm.
AI tregon se tani një ton pelet po e shesin 480 euro.
“Çmimi vitin e kaluar, ka qenë 190-200 euro gjatë verës, tash çmimi është 480 euro një ton pelet. Arsyet se pse është ngrit çmimi nuk e di sepse ne jemi vetëm tregtar për ngritjen e çmimit e dinë fabrikat, ne e marrim prej Malit të Zi, në Kosovë prodhohet pak edhe ata çka është nuk është kualitet”, u shpreh ai.
Çmimi i drurëve sipas shitjeve të cilat po bëhen online shkon deri në 70 euro për një metër dru.