Çka kishte thënë Donika Gërvalla për Rexhep Selimin?

Donika Gërvalla u nominua të mërkurën për kryetare të Kuvendit, por nuk mori mjaftueshëm vota.

Madje, ajo pati një votë më pak nga GP i LVV-së, në krahasim me Albulena Haxhiun. Atë nuk e votoi bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipja.

Ndonëse arsye nuk pati për këtë mosveprim, dyshohet se ai vjen pas deklarimeve të Gërvallës në të kaluarën pikërisht për Rexhën, i cili është duke u gjykuar për krime lufte në Hagë.

Pak pasi ishte votuar Qeveria Kurti I në vitin 2019, Gërvalla pati lëshuar një mori deklarimesh të ashpra ndaj Selimit, i cili thuhej se ishte propozuar për kryetar të Grupit Parlamentar të LVV-së.

“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, kishte shkruar Gërvalla në Facebook.

Për të mos u mjaftuar me kaq, Gërvalla kishte vazhduar përmes një statusi tjetër, duke e cilësuar madje Rexhep Selimin si “njeri i botës së krimit”.

“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, ishte shprehur ajo.

Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë deputeten Selimi, mirëpo e njëjta nuk ka qenë e qasshme.