Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që menjëherë të plotësohen kërkesat e minatorëve grevistë dhe policëve elitarë që protestuan dje.
Në seancën e sotme parlamentare, Gashi ka kritikuar deklaratat e qeveritarëve lidhur me të ardhurat e njësisë elitare.
“Është e panevojshme, e paarsyeshme se si ka reaguar mbrëmë kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme duke tentuar qe t’i denigrojnë njësinë elitare të Policisë së Kosovës e cila për 10 minuta ka bë një protestë. Mund të jetë e vërtetë deklarata e kryeministrit se ata në muajin e kaluar kanë marrë nga 2200 euro pagën. Mirëpo kryeministri nuk po kallëzon që ata kanë nejtë nga 18 orë me armë në dorë duke e rreziku jetën e tyre. Nuk po e përmend këtë punë. 18 orë deri në 24 kanë nejtë në pikë duke e rujtë Kosovën. Ata po kërkojnë trajtim të dinjitetshëm dhe një kërkesë minimaliste që mos me kanë me shtesa fikse 170 euro, po me kanë me për qindje të pagës 25%. Dhe aty janë krejt 67-68 vetë. Pse po e bëni problem këtë punë, kur nuk është problem? Pse po doni me i denigru këta njerëz”
“Çka është ky mentalitet. Ata janë njësi elitare, kërkesa e tyre është minimaliste dhe duhet të plotësohet menjëherë. Mos u mundoni me i denigru se i kanë marrë kah 2200 euro. Kanë nejte në pike luftarake, ka 24 ore. A e dini çka dmth ajo punë? Jeta e tyre cdo sekond ka qenë e rrezikume. I kanë 10 mijë euro pajisje, shih ti. 10 mijë euro pajisje. Çfarë pajisjesh? Armatim janë ato. Nuk janë pajisje të tyre private. Nuk i çojnë në shtëpi ata ato pajisje. Çka është ky mentalitet kështu. I denigrimit të gjithçkafit që është kërkesë e ndryshme. Një kërkesë minimaliste. Prandaj kërkoj në mënyrë urgjente që kërkesat e minatorëve dhe të njësive elitare të realizohen menjëherë, sepse nuk ka asgjë politike aty. Absolutisht asnjë sen. Mos shihni kësi fobi”, tha Gashi.