Çitaku-Kurtit: Fundi yt politik do të jetë i turpshëm

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e shkel ligjin me pritjen që po ua bën partive politike të komuniteteve në ambientet e qeverisë, për konsultat për formimin e Qeverisë. Sipas saj, Kurti do ta ketë dështim e turp në fund të karrierës politike.

Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se Kurti e ka shndërruar zyrën e shtetit në zyrë partie.

“Mbyllni sytë për një çast. Dhe imagjinojeni sikur Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, apo kushdo tjetër përpara Albin Kurtit  të kishte bërë atë që po bën ai sot. Imagjinojeni një Kryeministër që, në vend se të shërbejë popullin, e shndërron zyrën e shtetit në zyrë partie. Që përdor pushtetin e tij për të zhvilluar pazare politike prapa dyerve të mbyllura. Që thërret përfaqësues të komuniteteve jo-shumicë, jo për t’i dëgjuar, por për t’i nënshtruar. Jo për dialog, por për presion. Albin, Kosova nuk është parti. Kosova nuk është pronë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Çitaku ka thënë se Kurti do të ketë fund të turpshëm në karrierën politike.

“Ti nuk je mbi ligjin. Nuk je mbi Kushtetutën. Nuk je mbi dinjitetin e këtij populli që ka vuajtur për demokraci, jo për t’u shndërruar në spektatorë të një partie që kërkon të kontrollojë gjithçka. Po i shkel ligjet. Po i përbuz traditat. Po i përdhos parimet që dikur i mbroje me pasion. Albin, me këtë qasje, fundi yt politik nuk do të jetë vetëm një dështim, do të jetë i turpshëm. Historia nuk fal. Populli nuk harron”, ka shkruar ajo.