Chollet mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e planit franko-gjerman, bisedon me Kurtin

Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe po ashtu ka shkruar lidhur me vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Përmes një postimit në rrjetin social Twitter, Chollet ka thënë se zbatimi i këtij propozimi është i nevojshëm.

“Biseduam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të konsiderueshme për të dyja vendet,” – është shprehur ai.

Edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ndërsa ka shpërndarë tweet-in e Chollet, e ka rikonfirmuar edhe njëherë se ShBA-të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm të propozimit të Bashkimit Evropian.

“Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare,” – shkroi ai në Twitter.

Kujtojmë se pas një takimi të zhvilluar pak ditë më parë, me emisarin e posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës, ka deklaruar se se si qeveri e pranojnë planin franko-gjerman, duke shtuar më pas se ka bazë të mirë për negociata të mëtutjeshme.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solide për të ecur tutje”, ka shkruar Kurti.

E për propozimin franko-gjerman ka folur edhe Këshilli Evropian, të cilin e ka mirëpritur dhe i është referuar si shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët. Natyrisht, në dokument përmendet edhe perespektiva evropiane e Kosovës dhe Serbisë.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane,” – theksohet në dokument.

Ndërsa, në pjesën e tretë, pra në paragrafin e tretë dhe të fundit, Këshilli Evropian u ka kërkuar palëve të zbatojnë plotësisht marrëveshjet paraprake, duke përfshirë edhe Asociacionin.

“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, obligimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe,” – përfundon pjesa e dokumentit mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.