Çeçenët rusë të Shqipërisë

Genc Pollo 

Mes tollovisë fejsbukse se kur është fituar e para medalje olimpike nga ndonjë sportist shqiptar, vëmendja publike nuk është fokusuar te fakti i rëndësishëm se për herë të parë gati gjysma e ekipit olimpik të Shqipërisë nuk janë shqiptarë. Tre rusët me origjinë çeçene, të cilët këtë verë përfaqësuan Shqipërinë në Olimpiadën e Parisit, kanë marrë pasaportën shqiptare para pak kohësh dhe janë federuar tek ne sipas rregullave. Kaq mundëson që zyrtarisht ata të mund të kualifikohen në ekipin olimpik.

Por a mjafton vetëm kaq? Nga i tërë informacioni rreth tyre rezulton se lidhja e tre çeçenëve rusë më Shqipërinë është krejt oportuniste: pjesëmarrja nën flamurin kuqezi u ka dhënë atyre mundësinë institucionale të garojnë e të shpalosin talentin sportiv dhe për fat të mirë të marrin edhe medalje olimpike. Por duke i duartrokitur me gjithë zemër këta tre sportistë për arritjet e duke i uruar sukses në karrierën e mëtejshme sportive nuk mund të mos vërej se ata do të kishin garuar edhe me Turqinë apo me Portugalinë, apo me çdo shtet tjetër që do t’u kishte ofruar një arranzhim më konvenient. Ashtu edhe sikurse me gjasë të ardhmen e tyre nuk do e lidhin me Shqipërinë, jetën në këtë vend apo kulturën shqiptare, siç parakushtëzon marrja e pasaportës. Këto nuk i ndryshon as valëvitja e flamurit kombëtar e as demonstrimi me duar i shqiponjës dykrenare në podiumin e medalistëve olimpikë. Madje, as shpërthimi ‘online’ i patriotizmit të cekët e krenarisë folklorike nuk ngre kandar në këtë pikë.

Në kontrast me ekipin e Shqipërisë, ai i Kosovës përbëhet vetëm nga sportistë kosovarë, ose në një rast me origjinë nga Kosova. Gjithashtu, në kontrast me ekipin e Shqipërisë, ekipet e shteteve si Franca e Holanda, vërtet kishin pjesëmarrës e medalistë nga pakicat me origjinë nga kolonitë e dikurshme, por ata tashmë janë prej disa brezash qytetarë të integruar e përgjithësisht të asimiluar të këtyre shteteve.

Komercializimi i sportit, që shpesh është antitezë e idealit olimpik, ka sjellë që në shumë klube futbolli e basketbolli në Europë e Shqipëri të funksionojë merkato e sportistëve cilësorë në dëm të përfaqësimit rajonal. Ky fenomen lipset të shqyrtohet me anët e tija negative e pozitive.

Por, kur bëhet fjalë për ekipin përfaqësues kombëtar të Shqipërisë do të ishte legjitime të pretendonim që sportistët të kishin një atashim shpirtëror me Gjergj Kastriotin e Ismail Vlorën, të kishin lexuar mundësisht ndonjë varg nga Naimi e Fishta e mbi të gjitha do të zotëronin mirë gjuhën shqipe.

Fatkeqësisht, qeveria “Rama” mendon të kundërtën dhe vepron po ashtu, siç dëften ligji i miratuar vjet, i cili reduktonte zotërimin e gjuhës shqipe si kusht për të huajt që kërkojnë shtetësinë shqiptare. Fatmirësisht një nga ekceset e rrezikshme të qeverisë “Rama” në këtë drejtim, shitja masive e pasaportave shqiptare (e njohur si “pasaportat e arta”), e shpallur në vitin 2019 është bllokuar nga BE.

Kryeministri Rama insiston se investimi masiv në sport gjatë dhjetë viteve të fundit ka sjellë si pasojë edhe suksesin olimpik dhe është i verbër ndaj faktit ironik se medalistët “shqiptarë” në Paris nuk kanë fare lidhje me këtë gjë. Medalja më e hershme e Ymer Pampurit, një tiranas me orgjinë dibrane, është dhënë shumë kohë më parë. Por me iluzionizmin e tij ala Houdini nuk do të qe habi që të merrte meritat edhe për medaljet e vitit 1972. P. S. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ndaloi pjesëmarrjen e sportistëve rusë në Olimpiadën e Parisit për shkak të agresionit kundër Ukrainës. Dhënia e pasaportës shqiptare sportistëve nga Rusia mund të shihet edhe si artific ndihmues për të anashkaluar sanksionet. Kjo meriton një shqyrtim më vete.