Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka qenë mos zgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.
“Sot jemi në shkurt edhe e kemi problemin e madh me mbeturina. Pra nuk kam pasur një mundësi tjetër përveç që me e ndërru drejtorin për arsye të mundësisë për me e zgjedhë problemin e mbeturinave”, tha Rama.
Ai mohoi se shkarkimi i drejtorit Ilirik Musliu ka të bëjë me çështje të tjera apo probleme brenda koalicionit.
“Unë gjithmonë kam diskutu për rezultate. Rezultatet janë ato aspektet të cilat mua më interesojnë edhe si rezultat i rezultateve, të cilat nuk kanë qenë të nivelit të pritshmërisë time në dikastere të ndryshme, në këtë rast e drejtorisë së Shërbimeve Publike, ku si pjesë e problemeve të mëdha është edhe zgjedhja e problemit të mbeturinave. Kjo është një çështje që e kemi diskutuar vazhdimisht edhe faktikisht kemi pasur një numër të madh të datave të ndryshme ku edhe i kam vendosur për zgjidhjen e problemit të mbeturinave”, tha Rama.