Dëshmitari Nuhi Bytyci gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bëri vazhdimisht kritika për përfaqësuesin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), prokurorin Matt Halling.
Fillimisht, në sallën e gjyqit u prezantua një intervistë e Jakup Krasniqit e realizuar nga dëshmitari për gazetën “Zëri” në të cilën sipas prokurorit Matt Halling, i akuzuari kishte thënë se UÇK-ja nuk i ka marrë armët për të luftuar civilët por forcat dhe policinë ushtarake. Si rrjedhojë, dëshmitari tha se nuk është duke e parë origjinalin dhe se i është vendosur në ekran vetëm transkripti duke e cilësuar këtë si punë selektive dhe të njëanshme.
“Nuk po e shoh origjinalin këtu. Me vjen keq, duhet ta qitni edhe origjinalin si dëshmi konkrete jo vetëm transkriptin. Duhet paralelisht me origjinalin ta qitni edhe transkriptin e jo vetëm transkriptin. Në mënyrë selektive, në mënyrë shumë të njëanshme po punoni. Unë nuk e di mirë anglishtën”, tha dëshmitari.