Nga buxheti për vitin 2025, gjithsejt 208 milionë euro janë ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili tha se kjo shumë përkthehet në 2 % të bruto produktit vendor.
Ai ka thënë se ushtria e ka vëmendjen e duhur dhe ka premtuar që do të fuqizohet në vazhdimësi.
“Rritja e dukshme e buxhetit dhe investimi në resurse humane, përgatitje të personelit ushtarakë dhe ngritje të kapaciteteve operacionale përmes investimit në armatime, është tregues i qartë që ky sektor ka vëmendjen e duhur dhe do të fuqizohet në vazhdimësi, jo vetëm për të mbrojtur shtetin por dhe për të kontribuar në çdo operacion ndërkombëtar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe paqes. Më shumë investime në ushtri, do të thotë siguri për qytetarët tanë dhe për Republikën”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.