Liberalizimi i vizave ka hyrë në fuqi për banorët e Kosovës, por kjo sipas BE-së nuk vlen për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Departamenti i Koordinimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.
Nga Brukseli është konfirmuar se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së duhet të pajtohen për një vendim të tillë dhe se procedura është në vazhdim e sipër, shkruan kosovaonline, transmeton klankosova.tv.
”Kur merr “dritën jeshile”, propozimi i dërgohet Grupit të Punës për Vizat, pas së cilës kërkohet konfirmimi edhe në Parlamentin Europian dhe hapi i fundit i procesit është miratimi në takim ministror”, thuhet mes tjerash.
Komisioni Evropian më parë ka paraqitur një propozim për heqjen e vizave për qytetarët që kanë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por çështja mbetet ende në proces.
Pas propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe që jetojnë në Kosovë, Prishtina zyrtare i kërkoi BE-së që ta rishqyrtojë atë propozim.