Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq e ka hedhur poshtë marrëveshjen e Ohrit në ditën që ishte hartuar dhe për këtë nuk është qortuar nga ndërkombëtarët.
Diplomati që shërbeu në Kosovë ka pyetur se kur do ta kuptojnë ndërkombëtarët lojën dinake të Serbisë.
“Kur do të ketë drejtësi në rajon”, ka thënë ai.
“Një tjetër dëshmi e lojës dinake që po luan Serbia: për ta normalizimi do të thotë Kosova pjesë e Serbisë! Kur do ta kuptojnë më në fund ndërkombëtarët? Vuçiq e hodhi poshtë marrëveshjen e Ohrit në të njëjtën ditë që ishte hartuar dhe as nuk u qortua për këtë. Kur do të ketë drejtësi në rajon?”, ka shkruar Bosch në Facebook.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë ka reaguar pas përplasjes në mes të kryeministrit Albin Kurti, dhe kryeministres së Serbisë Ana Bernabiq, në forumin e Bledit në Slloveni.
Aty, Kurti ka thënë se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit çka edhe e bënë më të vështirë normalizimin.
Ndërsa Bernabiq ka thënë se “është vetëm një shtet dhe nuk ka dy shtete”.
Në reagimin e tij, kryeministri Kurti ka thënë se normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit dhe fantazisë, duke shtuar se “ky është një regjistër tjetër ku nuk mund të kontribuoj”.