Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë një konference për medie tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë progres në dialog nëse synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Ai mes tjerash tha se janë arritur disa rezultate ne kuadër të dialogut, megjithëse nuk e fshehu zhgënjimin e tij që Marrëveshja e Ohrit nuk po gjen zbatim.
Gjatë së mërkurës shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Komisioneri për zgjerim, Oliver Varhely, mbajtën konferencë për raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.
Diplomati spanjoll tha së gjatë këtij viti janë arritur disa rezultate në kuadër të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Në Kosovë dhe Serbi më lejoni të përmend punën që jemi duke bërë në dialog, më besoni shumë punë. Kemi zgjidhur çështjen e targave me marrëveshje reciproke, kemi pasur sukses në politikën për pranim të dokumenteve më në fund, duke ua mundësuar qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë të lëvizin pa pengesa nga njëra anë e kufirit në tjetrën. Është arritje e rëndësishme, nuk ishte e lehtë. I dhamë fund pas 20 vjetëve shpenzimit të parregullt të energjisë elektrike në veri. Dhe arritëm marrëveshjen bazë në Brukel dhe aneksin në Ohër”, tha Borrell.
Borrell e bëri të qartë se nëse të dyja shtetet aspirojnë një ditë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane, atëherë duhet të ketë progres në dialog.
Megjithatë ai nuk e fshehu zhgënjimin e tij që marrëveshja e Ohrit nuk po gjen akoma zbatim nga palët.
“Fatkeqësisht, zbatimi është në pritje. Dhe për të dyja, progresi për anëtarësim në BE dhe ai në dialog duhet të shkojnë dorë për dore. Jo njërën po, njërën jo. Kjo ka nevojë për përpjekje dhe punë të palodhshme dhe shpresoj që kjo marrëveshje, që nuk ishte e lehtë për t’u arritur, të zbatohet dhe të ecet përpara drejt normalizimit dhe anëtarësimit në BE”, tha ai.
Mes tjerash, Borrell përmendi edhe rreshtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me politikën e jashtme të sigurisë të Bashkimit Evropian, por për Serbinë tha se nuk mund ta mbajë lidhje të ngushta me Rusinë si dhe të synojë të bëhet pjesë e BE-së.
Krejt në fund Borrell premtoi se zgjerimi do të jetë në krye të agjendës së Komisionit Evropian.