Blogerja Fatime Stojku tha në një intervistë për “Summer Cube” në Euronews Albania se hixhabi, mbulesa që përdorin gratë praktikante të fesë myslimane, nuk e pengon për të bërë plazh.
Ajo ka ndarë në rrjetet e saj sociale disa foto nga plazhi me veshje të përshtatshme për det, për vajzat si ajo, që ndihmojnë edhe të ruhet devotshmëria ndaj besimit, pa lënë anash pjesën argëtuese.
“Për mua, të paktën ashtu siç unë e kam perceptuar pjesën e fesë, çështja e besimit është shumë personale, pra çështja e praktikimit, është midis teje dhe Zotit.
Fakti që ti ke zgjedhur të jesh pjesë e një feje nuk do të thotë që ti duhet të largohesh nga të bërit pushime, të ndjekësh shkollën, të studiosh, pra s’ka të bëjë fare me këtë.
Ka persona që nuk zgjedhin plazhin, zgjedhin terrenin malor për të bërë pushimet. Unë jam nga ato persona që zgjedh plazhin, por s’ka të bëjë fare me çështjen e fesë, nëse ti dëshiron të shkosh, mund të shkosh dhe ta shijosh në format që ty të bëjnë të lumtur dhe ta bëjnë më të bukur verën,” – u shpreh Stojku.