Blinken për zhvillimet në Kosovë: S’mund të kemi ripërsëritje të asaj që ka ndodhur, dialogu rruga e vetme

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është pyetur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe ndër të tjera edhe për vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

Blinken nuk u deklarua specifikisht për çështjen e dinarit, por kërkoi nga palët që t’i kthehen dialogut.

Ai tha se SHBA-ja do të punojë edhe me Shqipërinë për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të avancojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se s’mund të shkojmë mbrapa dhe të kemi një përsëritje të asaj që ka ndodhur”.

Kur nisa të punoja në Departamentin e Shtetit, çështja dhe sfida që ishte nga fillimi deri në fund ishte Ballkani, Bosnja dhe më pas Kosova. Shumë prej nesh kanë një histori që shkon thellë dhe kush më shumë se presidenti Biden… Nuk mund të shkojmë mbrapa në të ardhmen, nuk mund të kemi një ripërsëritje të asaj që ka ngjarë, të asaj që kemi parë dhe atë që kanë përjetuar shumë njerëz në vitet e 90-ta”.

Jemi të angazhuar të mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e Ballkanit. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja edhe është i duhuri dhe ne do të angazhohemi të bëjmë gjithçka që duhet.

Ne e dimë se cila është alternativa sepse e kemi parë, prandaj jemi të vendosur për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja” – tha Blinken, raporton Sinjali.

Rama, në anën tjetër, tha se autoritetet e Kosovës nuk duhet të marrin asnjë hap pa u koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veprimet që nuk konsultohen dhe koordinohen mund të sjellin ndonjë votë, por nëse politika e jashtme kthehet në instrument të politikës së brendshme, nuk fitohet e ardhmja”, tha kryeministri shqiptar.

Ai theksoi se SHBA-ja është “mbështetëse e palëkundur” e përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Është mirë që shqiptarët kudo që janë, duke nisur nga ata në Kosovë, të mos harrojnë asnjëherë se pa SHBA-në s’do të kishte shtet të pavarur të Kosovës”, tha Rama.