Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi thotë se raporti mes Kosovës dhe Serbisë është rënduar pas ngjarjeve që kanë ndodhur pas datës 24 shtator në Bansjkë.
Sipas tij Bansjka mund të përdoret edhe si një rast studimor që tregon ndërlidhjet e fushatave dezinformuese për Kosovën, pavarësisht që sulmi terrorist në veri rezultoi i pasuksesshëm.
“Akti i agresionit në Banjskë ka ngritur vëmendjen si në Kosovë ashtu edhe tek vendet ndërkombëtare. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë pas 11 vitesh dialog nuk kanë përparuar, por kemi një ftohje të theksuar”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri shtoi se që nga paslufta në Kosovë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar situatën e brishtë në veri të Kosovës.
“Vuçiq ka arritur ta konsolidojë pushtetin e vet duke përdorur shërbimet që ia ka bërë në të kaluarën kriminelëve Sllobodan Millosheviq e Vojsllav Sheshel, duke përsosur teknikat kriminale te tyre e duke përdorur teknika të dezinformimit e manipulimit”, ka thënë Bislimi në konferencën “Sulmi terrorist serb në Banjskë dhe implikimet rajonale dhe gjeopolitike” që u organizua nga Oktapus.
Sipas Bislimit, Vuçiq ka konsoliduar grupe kriminale në të dy anët e kufirit në krye të së cilëve qëndron Radoiçiqi dhe Veselenoviqi.
Bislimi thotë se Vuçiq me eksponentët e tij, me gjasë ka fituar shifra milionëshe përmes mundësimit të trafikimit të drogës.
“Madje, falë këtyre grupeve kriminale ata siç duket kanë përfituar shifra shumë milionëshe duke përdorur veriun për trafikim droge, dhe ne kemi raste ku kemi gjetur laboratorët e drogës si rezultat i operacioneve të suksesshme të Policisë së Kosovës”, ka thënë Bislimi.