Përfaqësues nga Shoqata për Evropën Juglindore në Mynih (Southeast Europe Associaton), e cila është e bazuar në Mynih, po qëndrojnë në vendin tonë në një vizitë studimore, në kuadër të së cilës u mirëpritën në takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, në bashkëbisedimin e zhvilluar me anëtarë të kësaj shoqate, zëvendëskryeministri Bislimi i ka njoftuar ata mbi situatën aktuale në vend dhe të arriturat përgjatë tri viteve të fundit të qeverisjes.
Sa i përket dialogut me Serbinë, zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se Kosova mbetet palë konstruktive dhe e përkushtuar, por procesi po përballet me refuzimet e shpeshta të palës tjetër për avancim tutje në shumë çështje e posaçërisht shkeljet e njëpasnjëshme dhe mungesës së zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
“Duke prezantuar tri shtyllat e integrimit evropian, zhvillimit ekonomik dhe dialogut, ai theksoi se objektiv i rëndësishëm ka qenë avancimi në rrugëtimin drejt integrimit evropian, ku tashmë është finalizuar procesi i liberalizimit të vizave dhe kemi bërë hapa tutje në zbatimin e agjendës së reformave evropiane dhe arritjen e standardeve evropiane, të cilat u bënë shkas më tej dhe për aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022”, thuhet mes tjerash në Zyrën e Kryeministrit.
Po ashtu, përgjatë diskutimit, u përmendën edhe raportet e indekset ndërkombëtare, të cilat “dëshmojnë mbi nivelin e progresit që ka njohur Kosova në tri vitet e fundit në sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, zhvillim ekonomik, liritë dhe të drejtat e demokratizimi”.
Zëvendëskryeministri Bislimi, në fund, i ka falënderuar pjesëmarrësit për vizitën e tyre në Kosovë dhe për bashkëbisedimin, duke i uruar dhe vijim të mbarë e të frytshëm të qëndrimit të tyre në vendin tonë.