Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, mirëpriti në takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Për këtë takim, Zyra e Kryeministrit ka dalë me një deklaratë pas rreth 10 orësh.
Sipas njoftimit, në takim është folur rreth diskutimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Sa i përket rregullores së BQK-së, Bislimi thuhet se e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores.
“Nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.”
“U trajtuan edhe një sërë temash të tjera që janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla.” – përfundon njoftimi.