Biserko: Perëndimi s’do ta tolerojë më Serbinë, s’e ka falur për Banjskën

Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se perceptimi i perëndimit për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, është se ai mund të realizojë atë që ka premtuar, që është në radhë të parë zbatimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, sulmi i 24 shtatorit në Banjskë nga grupi serb dhe vrasja e policit Afrim Bunjaku, ishte një lloj alarmi për komunitetin ndërkombëtar perëndimor sepse u bë e qartë se Beogradi nuk kishte hequr dorë nga planet e tij për ndarjen e Kosovës.

“Meqenëse deri më tani nuk ka pasur raport zyrtar për atë ngjarje, përveç mohimit të Beogradit se ka marrë pjesë në të, reagimi i shpejtë i NATO-s, SHBA-së dhe BE-së tregon se nuk do të lejohet përshkallëzimi dhe destabilizimi i Ballkanit. Kjo e theu besimin te presidenti Vuçiq, por mesa duket ende po llogaritet, por në rrethana dukshëm të ndryshuara”.

“Një nga kushtet për anëtarësimin e Serbisë në BE është ende vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, gjë që nuk është as në njoftimin se Beogradi mund ta bëjë këtë. Është tregues se Vuçiq ka shkuar në Pekin për takimin e “Rrugës së Mëndafshit” dhe jo në Tiranë, ku u mbajt samiti i Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve evropianë. Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor ishte tema kryesore, e cila padyshim nuk është prioritet për presidentin Vuçiq. Duhet pasur parasysh se Beogradi po i vonon të gjitha premtimet, duke pritur një ndryshim në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që brohorit qartë për Trump. Beogradi pret që përveç Rusisë dhe më pas administratës së re amerikane, perspektivat për realizimin e një “bote serbe” të jenë mjaft reale”, ka thënë Biserko, shkruan Aktuel.no