Gazeta gjermane Bild ka bërë një analizë mbi situatën e brishtë të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, ku sipas saj sinjalet e dhëna mund të jenë pjesë e “një planifikimi rus për të nisur një luftë të re në rajon”, dhe këtë “po e bën përmes Serbisë”.
Ekspertët e Ballkanit, sipas BILD, paralajmërojnë se Putin po planifikon një luftë të re në Ballkan, para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe këtë “fushë beteje” e shikojnë në Kosovë.
“Putin do të krijojë një fushë të dytë beteje në Ballkan përpara zgjedhjeve evropiane me ndihmën e presidentit serb”, shkruan Bild.
Eksperti serb Jakov Devçiq, kreu i zyrës së jashtme të Serbisë/Malit të Zi të Fondacionit Konrad Adenauer, të lidhur me CDU, tha se ka rryma të qarta pro-ruse në peizazhin politik serb dhe kjo u pa edhe në marrëveshjet e bashkëpunimit nënshkruar mes Serbisë dhe Rusisë që pas nisjes së luftës në Ukrainë.
“Sinjali i qartë: Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Rusisë nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunimin e ardhshëm – gjashtë muaj pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Serbia ende nuk po merr pjesë në sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në maj 2023: Aleksandar Vulin (ish-shefi i inteligjencës) dhe Ivica Daçiq (ministër i Jashtëm) përfaqësojnë Serbinë në konferencën e sigurisë në Moskë. Ka rryma të qarta pro-ruse në peizazhin politik serb. Të dy ish-shefi i inteligjencës Vulin dhe Daçiq përfaqësojnë pozicione pro-ruse. Moska është e vetëdijshme se si të irritojë Perëndimin politikisht”, tha Devçiq.
Bild shkruan se “ndërsa Vulin dhe Daçiq janë në Moskë, ka trazira serioze mes ushtarëve të KFOR-it (NATO) dhe serbëve të Kosovës në veri të Kosovës. 30 ushtarë nga aleanca perëndimore u plagosën. Tensionet përshkallëzohen kur 30 paraushtarakë serbë të armatosur rëndë sulmuan oficerët e policisë në veri të Kosovës në shtator 2023. Vritet një polic kosovar. Vuçiq dislokon trupat në kufi”.
Në analizë theksohet edhe mungesa e Vuçiq në samitin BE-Ballkan në tetor 2023, i cili udhëtoi në Kinë dhe u takua me Putin. Këtë fillim viti, Serbia shpall rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin analiza e Bild ngre pyetjen nëse është mobilizim.
“Situata në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është shumë e brishtë. Pa u rritur prania perëndimore në veri të Kosovës, nuk do të ketë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, tha Devçiq.