Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka folur pas mbledhjes së kryesisë.
Ai i ka ftuar partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës, që ta përkrahin mocionin e mosbesimit të iniciuar nga AAK-ja.
“Kjo qeveri meriton të shkojë në shtëpi. Ne si opozitë duhet të përmblidhemi, ta shtyjmë mocionin tonë përpara. Ka një dakordim edhe një kuptim edhe nga partitë opozitare. Në seancën që fillon në shtator, duhet ta nisim me rrëzimin, respektivisht shkarkimin e kësaj qeverie”, tha Tahiri në konferencën për media.
Tahiri tha se rrëzimi i qeverisë nuk do të ndodhë me Listën Serbe.
“Kam pasur diskutim me shefat e grupeve parlamentare. Ka gatishmëri. Edhe deputetët individual e kanë konfirmuar përkrahjen e mocionit. Rrëzimi nuk do të bëhet Listën Serbe, por me deputetët shqiptarë dhe të pakicave”, theksoi ai.