Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka njoftuar për rizgjedhjen e Besnik Boletini dhe Arta Berisha nga Kuvendi i Kosovës, si anëtarë të Bordit të RTK-së me mandat shtesë 3-vjeçar.
Në njoftimi thuhet se në mbledhjen e Bordit të zhvilluar me datë 18 mars 2024, anëtarët e Bordit kanë rizgjedhur për kryetar të Bordit të RTK-së Besnik Boletinin për një mandat shtesë.
“Z. Besnik Boletini ka qenë në këtë detyrë për një mandat 2-vjeçar deri në dhjetor 2023, kur mandati i tij ka përfunduar. Duke filluar nga data 18 mars 2024, Bordi i RTK-së do të vazhdojë punën nën udhëheqjen e z. Besnik Boletini si kryetar, ndërsa znj. Albulena Mehmeti do të vazhdojë të mbajë pozicionin e nënkryetares. Prioritet i Bordit të RTK-së do të mbetet mbikëqyrja transparente e punës së RTK-së në drejtim të reformave administrative dhe programore”.
“Bordi i RTK-së shpreh falënderim për besimin e Kuvendit të Kosovës në punën e Bordit, dhe premton që do të vazhdojë të punojë për përmbushjen e misionit të RTK-së në shërbim të publikut të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.