Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë të mërkurën se Serbia është në prag të një konflikti të armatosur, duke u ndërlidhur me tensionet në veri.
Brnabiq ka vazhduar me propagandën e saj, ku ka kërkuar nga organizatat joqeveritare që të flasin për “torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë”.
“Ne jemi në prag të një konflikti të armatosur falë lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës. Organizatat e shoqërisë civile, ju lutemi të flisni për torturat e përjetuara nga serbët në Kosovë. Ne duhet ta ruajmë paqen së bashku”, ka thënë Brnabiq.
Brnabiq ka folur edhe për ish-policin serb Dejan Pantiq për të cilin ka vazhduar propagandën duke thënë se nuk dihet ku ndodhet.
Po ashtu, ajo ka thënë se arrestimi i tij është një ndër arsyet që çuan në vendosjen e barrikadave në veri të vendit.
“Askush nuk e di se ku ndodhet, nuk dihet nëse ka marrë terapi. Familja nuk mund të dëgjojë nga ai. Kreu i EULEX-it i përgjigjet gjithë kësaj, duke thënë se nuk e dinë se ku është. Dhe çfarë jeni duke bërë në? Sa njerëzisht është në rregull me ju”, pyeti Brnabiq.
Brnabiq të martën i ka reaguar ashpër ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë i cili kërkoi që barrikadat të largohen para Krishtlindjeve.
Sipas informacioneve zyrtare në rrugët e komunave veriore janë të vendosura nëntë barrikada.