Berisha: Fajdeja ta shkatërron jetën, u dëmtova shumë por u desh të vazhdoja disi

“Nuk kisha rrugë tjetër, të besoj tek shteti e prokuroria, ose të bëja vetëvrasje. Fajdeja të shkatërron jetën , familjen, shoqërinë”.

Kështu ka rrëfyer ekskluzivisht Muhamet Berisha – që ra viktimë e fajdeve në emisionin “FIVE”.

Berisha ka rrëfyer se si shpeshherë ka dashur që t’ia marrë vetës jeten për shkak të problemeve financiare në të cilat u zhyt.

Ai thotë se është marrë me një restorant dasmash dhe në kohën e pandemisë i dështuan 36 rezervime për të cilat u desh që të kthente kaparin kësisoj u fut në “botën e fajdeve” pa e ditur se po hyn në të.

“Jam marrë me një sallë të dasmave, i kam pasë 36 rezervime që dështuan, mu desh të ktheja kaparin dhe u desh të merrja borxh e erdha në këtë gjendje. Tash e kam mbyllur, nuk jam duke punuar fare”, ka thënë Berisha.

Ai thotë se tashmë është i dëmtuar aq shumë nga fajdeja sa që nuk ka motiv të punojë sërish.

Sipas Berishës, fajdexhinjtë në fillim nuk të paraqiten si të tillë por si shokë.

“Jam i dëmtuar aq shumë sa e kom problem të filloj punën diku tjetër. Duhet të kalojë disi. Së pari të paraqiten si shokë, pas 2-3 muajsh të tregojnë për kamata”, ka vijuar ai.

Ai thotë se ka raste që fajdexhinjtë i marrin edhe shtëpitë njerëzve duke i kërcënuar të nënshkruajnë e të vendosin pronën në emër të tyre.

Ai ka një mesazh për të gjithë që bien viktimë e fajdes të paraqiten te shteti dhe të besojnë në ta dhe të flasin këtë punë edhe me familjen e shoqërinë.