Berisha e akuzon Kurtin se po e implementon Asociacionin në heshtje

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke thënë se është duke e implementuar Asociacion pjesë -pjesë në heshtje.

Berisha vlerëson se Kurti po vepron kështu sepse nuk ka kurajë ta dërgojë statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Berishës, edhe çështja e dinarit është pjesë e implementimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kurti është duke e implementuar Asociacionin në heshtje, në segmente të caktuara që janë të ndjeshme. Dhe që s’pret puna, duhet me i krye. Dhe është duke e implementuar në heshtje. Edhe ky është pjesë e Asociacionit, negocimi se për çfarë valute do të kenë qytetarët e komunave me shumicë serbe ë Asociacion është pjesë e statut dhe e Marrëveshjes. E ka negociuar vetë Bislimi, i cili tha se nuk shkoj unë me bë negociata. Është në statut, ata do të paguhen, do të kenë të drejtë të subvencionohen nga Serbia, e nga Serbia do të vije dinari”, tha Berisha.

“Albin Kurti po e implementon me një pretekst që e krijoi ‘casus belli’ me këtë rregulloren e BQK-së, po e implementon”, ka thënë Berisha në Dukagjini.

Megjithatë, sipas deputetit të PDK-së, Kurti do ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme nëse i bëhet presion për themelimin e “Zajednices”, siç e quante ai si opozitar.