Bashkimi Evropian pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator, sulme të cilat BE-ja i quajti terroriste.
Në këtë rast, askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst. Këtë e ka thënë të hënën, në një konferencë me gazetarë në Bruksel zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia në hetime pasi Beogradi thotë se nuk e njeh Kosovën. Beogradi po ashtu ka deklaruar se nuk do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
Rezultati i hetimeve po pritet në BE edhe për të sqaruar nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Një numër i madh shtetesh kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, por Komisioni Evropian dhe disa vende anëtare po hezitojnë me arsyetimin se “duhet pritur përfundimin e hetimeve për të parë se a ka pasur lidhje Serbia me këtë akt”.
“Pritjet tona nga Serbia janë jo vetëm që të ketë nga ajo bashkëpunim të plotë, por të ketë bashkëpunim pa kushte. Nëse ka vullnet, ka edhe rrugë dhe askush nuk duhet të fshihet prapa formaliteteve si njohja e palës tjetër apo mosnjohja. Ka shumë rrugë se si mund t’i shkëmbeni evidencat, si mund të bashkëpunoni dhe si mund të kontribuoni plotësisht në hetime”, ka thënë Stano.
Ai nuk ka dashur të flasë konkretisht se a është duke luajtur BE-ja rolin e lehtësuesit në hetime pasi autoritetet e Serbisë dhe të Kosovës nuk kanë kontakte direkte. Stano nuk u është përgjigjur as pyetjeve se a ka BE-ja informata nga Beogradi nëse është akuzuar dikush tjetër për këtë akt përveç Radoiçiqit, që veçse e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai ka përsëritur disa herë se “kjo është një çështje shumë serioze dhe do të ketë pasoja pasi të kryhen hetimet”.
“Ajo që ndodhi më 24 shtator është diçka aq serioze sa që duhet të sqarohet në tërësi, sepse do të ketë pasoja. Nuk dua të hyj në komente individuale në këtë fazë të hetimeve, sa njerëz ishin përfshirë e sa jo. Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Është shprehur para palëve disa herë e ai është se presim bashkëpunim nga Serbia dhe nga cilado palë që mund të kontribuojë që sa më shpejt të sqarohet ajo që ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë dhe kush e orkestroi atë. Dhe, në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, ndaj dialogut dhe ndaj rajonit”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i BE-së ka thënë se edhe në takimet e shumta që janë zhvilluar në fund të javës së shkuar në margjinat e samitit në Granada të Spanjës, përfshirë takimet që përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përsëritur thirrja për hetimin e sulmit, por edhe për kthim në dialog dhe për uljen e tensioneve./REL