Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.
Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.
“Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.
Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në projektligjin, i cili synon rregullimin e mediave online. Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.