Bashkimi Evropian ka kundështuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste në Kosovë duke e quajtur vendim “të njëanshëm”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka shprehur keqardhje për këtë vendim, duke e cilësuar të njëanshëm dhe të papërmbajtur. Ai gjithashtu ka shtuar se ky vendim nuk do të ndihmojë në zbutjen e tensioneve dhe në zgjidhjen e problemeve ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme.
“Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Evropian javën e kaluar bënë thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në Kosovë. Këto emërtime janë një hap i njëanshëm që nuk kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës dhe as për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme”, ka deklaruar Stano në një përgjigje për KOHËN.
BE ka theksuar rëndësinë e përmbajtjes së palëve nga veprimet apo retorika që mund të rrisin tensionet e mëtejshme. Ata kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të marrin parasysh propozimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si një hapat e nevojshëm drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës.
“Ne përsërisim thirrjen që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritje të mëtejshme të tensioneve dhe të ndërmarrin hapa urgjentisht për të de-përshkallëzuar situatën aktuale në veri të Kosovës në përputhje me propozimin e bërë nga HRVP Borrell më 22 qershor”, ka thënë ai.