Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar në lidhje me tri projektligje që nesër pritet të votohen në lexim të dytë në kuvend.
BE-ja në Kosovë tha se me keqardhje vëren se në Ligjin për Zyrtarët, versionin aktual të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media dhe në projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së, që sipas tyre, synojnë përmirësim e këtyre projektligjeve dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, është shqetësues fakti se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi”.
Më tej, Zyra e BE-së në Kosovë tha se nëse ndryshime të tilla zbatohen, atëherë rrezikojnë ta minojnë profesionalizmin dhe paanshmërinë e shërbimit civil.