Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tri komunat në jug të Serbisë, të cilat paralajmërohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogu rreth vizitave të ndërsjella.
Blloku ka kërkuar që Kosova të respektojë në të njëjtën mënyrë këtë marrëveshje.
Reagimi i BE-së vjen pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fillim të janarit iu refuzua leja për të vizituar Luginën e Preshevës – komunat jugore në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut rreth vizitave zyrtare. Prandaj, Serbia është dashur ta lejojë dhe ajo [vizit;] të realizohej”, u tha në një përgjigje të Peter Stano, zëdhënës i BE-së për punë të jashtme dhe siguri.
Stano tha po ashtu se “BE-ja vazhdon të bëjë ftesë për të dyja palët që në tërësi, dhe pa kushtëzime, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes”.
“Të gjitha mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut. BE-ja mbetet e gatshme t’ua lehtësojë palëve diskutimet për të gjetur zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së.