Numri i aksidenteve në magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe mungesa e një rreth-rrotullimi, ka shtyrë sot një numër të qytetarëve të Gllamnikut që të dalin në rrugë dhe të protestojnë.
Ata kanë bllokuar njërën pjesë të magjistrales Podujevë – Prishtinë për shkak të pakënaqësive, duke thënë se mungesa e vendosjes së një rreth-rrotullimi në këtë pjesë të rrugës po shkakton shumë aksidente.
Osman Bahtiri, banor i fshatit Gllamnik tha për KosovaPress se bëhet fjalë për nevoja urgjente të banorëve për ndërtimin e një rreth-rrotullimi, pasi mungesa e tij po ndikon në shkaktimin e shumë aksidenteve në trafik.
Qëllimi i këtij tubimi spontan nga banorët e fshatit Gllamnik është qëllimi i vetëm për të cilin jemi tubuar këtu dhe për dallim prej herëve të tjera është për një rreth-rrotullim, i cili kaherë na është premtuar këtyre banorëve për nevojat e tyre për kyçje në magjistralen Podujevë-Prishtinë. Ne i kemi edhe nënshkrimet e peticionit e 325 qytetarëve, të cilët i kanë bërë në peticione para dy vjetëve për këtë. Jemi tubuar me atë qëllim që në mënyrë sa më shpejt të bëhet një rreth-rrotullim për nevojat e qytetarëve, pasi deri më sot pasi që këtu nuk javë, apo më shpesh që nuk ka ndeshje të komunikacionit, por ka dashur Zoti që nuk ka me fatalitet. Kërkojmë nga ministria përkatëse, drejtoria përkatëse dhe ministria e transportit dhe lidhjeve që në një afat sa më të shkurtër të bëjë një rreth-rrotullim këtu… Ne si qytetarë, nëse qeveria nuk ndërmerr diçka do të jemi të obliguar që herën tjetër ta bëjmë mbylljen (bllokimin) në mënyrë tjetër,” ka thënë ai.
Ai thotë se janë të gatshëm të lirojnë pronat nëse nevojitet për hapësira të ndërtimit të rreth-rrotullimit, por në mënyrë që ato të kompensohen në mënyrën e duhur.
Ndërsa qytetari tjetër nga Gllamniku Ermal Osmani thonë se janë gjithsej 495 shtëpi që ndodhen në këtë zonë, andaj e sheh të arsyeshme krijimin e një rreth-rrotullimi në këtë pjesë të magjistrales Prishtinë-Podujevë.
“Ne paralajmërojmë edhe pushtetin aktual komunal dhe atë qendror që interesat e qytetarëve të fshatit Gllamnik t’i sheh si interesa madhore, ku kemi vendosur rreth-rrotullimin këtu dhe të mos luajnë me fshatin Gllamnik, lokalitetin më të madh në zonën e Llapit për interesat e disa individëve…Ne presim nga organet komunale kompetente dhe nga Ministria e Infrastrukturës një përgjigje dhe kërkesën tonë të na e plotësojë sa më parë”, ka thënë Osmani.
Protesta po vazhdon e qetë dhe automjetet po qarkullojnë lirshëm, teksa ajo po përcillet nga Policia e Kosovës.
Ndryshe, viteve të fundit në Gllamnik janë shkaktuar një numër i konsideruar i aksidenteve, të cilat kanë përfunduar me të lënduar e dëme materiale. Aksidentet në trafik zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve dhe mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë.